9 MAJI – DITA E EVROPËS SHËNOHET EDHE NË THERANDË, ME PROMOVIMIN E VLERAVE SHQIPTARE

May 8, 2014 / Comments (0)

Aktivitete

Në ditën kur organizohen aktivitete për të promovuar vlerat e popujve të Evropës, në Therandë u hap ekspozita, e cila simbolizon vlerat evropiane e humane të kombit shqiptar të treguara më së miri para plot 70 vjetësh në periudhën më të errët të njerëzimit në kohët moderne.

20140508231752317646

Ekspozita “Shpëtimi i hebrenjve në Kosovë” vazhdon promovimin e fisnikërisë shqiptare të treguar gjatë Luftës së Dytë Botërore duke mos e ndalur udhëtimin nëpër Kosovë.

Pak ditë pas përmbylljes së ekspozitës në Malishevë ajo zuri vend në Qendrën për Trashëgimi Kulturore në Therandë.

Të pranishmit patën rastin të kuptojnë për së afërmi zhvillimet e asaj periudhe, kur Besa Shqiptare luajti rolin kulmor gjatë shekullit të kaluar.

Në fjalën e rastit Kryetari i Komunës së Therandës, Sali Asllanaj, u shpreh i kënaqur me hapjen e kësaj ekspozite edhe këtu pasi që kjo ekspozitë u hap për Ditën e Evropës duke promovuar kështu vlerat evropiane të Kosovës.

Xhangyle Ilijazi, nga Shoqata e Miqësisë Kosovë – Izrael “Dr. Haim Abravanel”, duke folur për veprimtarinë për zbulimin dhe dokumentimin e familjeve që kanë strehuar hebrenj gjatë Holokaustit, potencoi rëndësinë e hapjes së ekspozitës në Therandë ngase ishte pikërisht ajo që gjatë viteve 90-të kishte dokumentuar kontributin e Qazim Bllacës në shpëtimin e hebrenjve. Më tej Ilijazi theksoi kontributin e familjeve dhe individëve të tjerë që kishin shpëtuar hebrenj gjatë asaj periudhe.

E pranishme ishte edhe përgjegjësja për kulturë në Ambasadën Gjermane, Milena Tutsch, e cila duke përshëndetur hapjen e kësaj ekspozite theksoi mbështetjen të Qeverisë Gjermane për popullin hebre pas ngjarjeve të tmerrshme, që vazhdon edhe me tej.

Rastësia e fisnikëria shqiptare u përputhen edhe në këtë vend. Pikërisht me 9 maj 1915 u lind Qazim Bllaca, atdhetar i shquar, ish – zëvendës ministër i Ekonomisë i Shqipërisë gjatë asaj periudhe dhe shpëtimtar i hebrenjve.

Shumë nga të pranishmit u befasuan nga përmbajtja e kësaj ekspozite e cila po vazhdon të zbulojë një trashëgimi të fshehur të kombit tonë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për një muaj në Qendrën për Trashëgimi Kulturore në Therandë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *